Mbahet takim i Këshillit të Instruktorëve të QEQ-it, diskutohen kurset dhe
Në Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" (QEQ) është mbajtur takim me Këshillin e Instruktorëve të QEQ-it, ku të pranishëm ishin edhe rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe shefja e QEQ-it, prof. dr. Majlinda Daci-Ajvazi.
Në këtë takim u diskutua progresi i dy programeve certifikuese që ofrohen (Energjia e Ripërtëritshme dhe Qëndrueshmëria dhe Menaxhimi i Energjisë dhe Mjedisit) si dhe ecuria e trajnimit profesional për auditorë të energjisë, për ofrimin e të cilit Ministria e Ekonomisë e Republikës së Kosovës e ka autorizuar QEQ-in.
Në fjalën e tij para instruktorëve të pranishëm, rektori, prof. dr. Naser Sahiti ka njoftuar instruktorët rreth nismave për ngritjen e mëtejme të kapaciteteve të QEQ-it për ofrimin, jo vetëm të kurseve certifikuese për studentë, por edhe të programeve të trajnimeve profesionale për palët e treta me fushën e energjisë dhe mjedisit. Rektori i ka inkurajuar instruktorët e QEQ-it të shfrytëzojnë, në mënyrë efikase, buxhetin e ndarë për qendrën për zhvillimin dhe afirmimin tutje të QEQ-it.
Në anën tjetër, shefja e QEQ-it, prof. Daci-Ajvazi, i informoi të pranishmit rreth interesimit të studentëve për të marrë pjesë në kurset certifikuese dhe shqyrtoi mundësinë e përfshirjes edhe të studentëve të institucioneve të tjera të arsimit të lartë, por edhe të palëve të tjera të interesuara, në kurset që ofron QEQ-i.
Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri, në kuadër të UP-së, është qendër gjithëpërfshirëse e kërkimit dhe trajnimit ndërdisiplinor, që synon të adresojë sfidat globale të zhvillimit të qëndrueshëm. Qendra synon të gjejë zgjidhje praktike dhe të zbatojë politika të qëndrueshme në lidhje me problemet e ngrohjes globale dhe ndryshimin e klimës, prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ekologjinë njerëzore.